Astrit Sinanaj, 49 vjeç, është arrestuar nga policia pas një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila la në fuqi dënimin me 22 vite burg për tentativën për vrasje të biznesmenit Fuad Verzivolli më 6 maj 2017, duke i vendosur 1 kg tritol C4 në automjet. Shpërthimi fatmirësisht nuk ndodhi, pasi një qytetar e zbuloi pakon dhe e largoi në kohë. Sinanaj do të vuajë edhe 13 vite burg të mbetura.
Gjatë hetimeve u zbulua se ai kishte përdorur telefonatë për të telekomanduar shpërthimin, ndërsa identifikimi i tij u bë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Verzivolli, që mbijetoi nga atentati, ka deklaruar se nuk ishte objektivi i sulmit, por ishte përdorur si karrem në përplasjen e grupeve rivale në Elbasan. Sipas tij, autorët kishin synime të tjera, ndërsa ai vetëm frekuentonte zonën ku ndodhej tregu ushqimor dhe takonte persona të njohur të botës së krimit në qytet.
Njoftimi i plotë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ekzekutuan urdhrin e Prokurorit, datë 13.06.2025, për ndalimin e shtetasit Astrit Sinanaj, 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.