FLASH :

Arrestohet Ardit Kero, ish-bashkëshorti i Arbana Osmanit dhe ‘truri’ i aferës së Bankers Petroleum

Policia e Fierit arrestoi të martën Ardit Kero, ish-bashkëshorti i moderatores së njohur Arbana Osmani dhe një nga figurat kyçe në skemën shumëvjeçare të mashtrimit financiar të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”. Sipas burimeve nga prokuroria, Kero konsiderohet si “truri financiar” i aferës më të madhe të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave në historinë e industrisë shqiptare të naftës, me dëme që llogariten në dhjetëra milionë euro.

Prokuroria e Fierit dhe strukturat hetimore zbuluan një rrjet të gjerë drejtuesish vendas dhe të huaj që kanë manipuluar sistematikisht shpenzimet dhe fitimet e Bankers për të shmangur taksat, përmes faturave fiktive dhe skemave mashtruese. Ardit Kero ka qenë shefi i financës për mbi një dekadë dhe lidhja më e besuar e drejtuesve kanadezë dhe më pas kinezë të kompanisë.

Një kompani që ka vjedhur nëntokën shqiptare për 20 vite

Nga hetimet rezulton se kompania Bankers, e themeluar në vitin 2004 në parajsën fiskale të Ishujve Cayman, ka nxjerrë afro 4 miliardë euro nga nafta e Patos Marinzës, ndërkohë që kontributi në buxhetin shqiptar ka qenë minimal. E drejtuar aktualisht nga shtetasi kinez Hongping Xiao, kompania ka fshehur qëllimisht pronarët përfitues pas një rrjeti të ndërlikuar kompanish guackë në Kanada, Hong Kong dhe Kinë. Shqiptarët nuk dinë ende se kush janë përfituesit realë të pasurisë së nëntokës së tyre.

Lista e personave të përfshirë në këtë skemë përfshin emra si Qing Fang, Xingyun Sun, Suneel Krishan Gupta, Jonathan Paul Harris, Chang Zhong Xu, Linaghong He dhe Feng Qin. Në këtë listë gjendet edhe emri i vetëm shqiptar, Leonidha Çobo, i akuzuar për vjedhje të shumta gjatë drejtimit të kompanisë.

Mashtrime, gjoba dhe paprekshmëria politike

Gjykata e Lartë ka konfirmuar një gjobë prej 100 milionë eurosh ndaj Bankers për abuzimet dhe shmangien e detyrimeve tatimore. Megjithatë, ekzekutimi i kësaj gjobe u bllokua nga ish-ministrja Anila Denaj, duke forcuar dyshimet për mbrojtje politike të kompanisë dhe lidhje të mundshme me zyrtarë të lartë shqiptarë.

Ndërkohë, kompania vazhdon të operojë në Shqipëri pa zbatuar ligjet për transparencën e pronarëve përfitues, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit ligjor dhe kapacitetin e institucioneve për të mbrojtur interesin publik. Arrestimi i Ardit Keros mund të jetë vetëm maja e ajsbergut në një nga aferat më të mëdha korruptive të dy dekadave të fundit.