FLASH :

Arrestohet 47-vjeçari për tentativë vrasjeje, në pranga edhe nipi që nuk kallëzoi

Mbrëmjen e datës 5 shtator, tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, lokalizohet dhe kapet 47-vjeçari.

I ndaluari, i dënuar më parë, për armëmbajtje pa leje.

Në pranga dhe nipi i tij, i pranishëm gjatë konfliktit në lagjen nr. 5, pasi nuk kallëzoi krimin.

Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në rastin e datës 05.09.2025, rreth orës 21:00, në lagjen nr. 5, Kukës, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u qëllua me armë zjarri, në drejtim të shtetasit H. A. (nga të shtënat nuk pati të dëmtuar), specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës finalizuan operacionin “Episodi”.

Gjatë operacionit u ndalua autori i dyshuar, i identifikuar menjëherë pas ngjarjes, shtetasi F.(U.) D., 47 vjeç, banues në fshatin Pobreg, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjithashtu, u arrestua djali i motrës së 47-vjeçarit, shtetasi S. J., 23 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe nuk ka kallëzuar në Polici.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.