FLASH :

Arrestohet 33-vjeçari që drejtonte në gjendje të dehur dhe pa patentë, nuk iu bind urdhrit të policisë

Një 33-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Lezhë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi në rrugën dytësore “Milot–Lezhë”.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për Jetmir Moriqin, i cili nuk iu bind urdhrit të patrullës për të ndaluar dhe përkundrazi shtoi shpejtësinë. Pas ndjekjes nga efektivët, ai u ndalua dhe u shoqërua në komisariat. Moriqi do të përballet me akuza për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin J. M., 33 vjeç, banues në fshatin Bushat, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Ky shtetas, duke drejtuar automjetin, në rrugën dytësore “Milot-Lezhë”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore, për të ndaluar automjetin dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Pas ndalimit të tij nga shërbimet e Policisë, iu bë testi i alkoolit, nga i cili rezultoi në gjendje të dehur. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se shtetasi J. M. nuk ishte i pajisur me leje drejtimi”, informoi sot policia. 

Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një 33-vjeçar tjetër. Adrian Haka (Cara) ra në pranga pasi po drejtonte motorin në gjendje të dehur.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë edhe shtetasin A. H. alias A. C., 33 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, pasi u kap në aksin rrugor “Mamurras- Laç”, duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur”, thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë, për veprime të mëtejshme.