FLASH :

Video/Arrestohen dy zjarrvënësit në Fier dhe Lushnje, njëri kundërshtoi zjarrfikësit të shuanin flakët 

Dy persona janë arrestuar nga policia e Fierit pasi ndezën zjarre në Parkun Kombëtar të Vjosës dhe në Lushnje. 

Në pranga ka rënë 61-vjeçari Shezai Banaj pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Mezarak” në luginën e lumit Vjosa, ku për pasojë janë djegur një sipërfaqe me 300 pemë ullinj dhe bimësi të ndryshme e parkut kombëtar.

U arrestua gjithashtu 58 vjeçari Arjan Kaja pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke. 58-vjeçari kundërshtoi edhe zjarrfikësit për të shuar flakët. 

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.”, njofton policia.