FLASH :

Arrestohen dy shtetas në Krujë për kultivim kanabisi

Operacioni policor antikanabis i koduar “Koordinata” ka çuar në zbulimin dhe goditjen e dy rasteve të tjera të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e Krujës.

Në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme, të mbështetura edhe nga informacione operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë identifikuan dhe ndërhynë në dy parcela të hapura ku ishin kultivuar bimë narkotike.

Në fshatin Krastë u arrestua shtetasi Xhemal Ivani, 67 vjeç, i cili dyshohet se kishte mbjellë kanabis në një hapësirë të hapur fushore. Po ashtu, në fshatin Brret u ndalua Ali Kulla, 62 vjeç, për të njëjtën veprimtari të paligjshme.

Gjatë operacionit, një pjesë e bimëve të sekuestruara u morën si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në vendngjarje me anë të djegies.

Policia ka bërë me dije se kontrollet në zonat e dyshuara për kultivim kanabisi do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Materialet në ngarkim të të arrestuarve janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.