Në çdo demokraci funksionale, masa e arrestit nuk është një instrument i zakonshëm i hetimit, por një mjet ekstrem që përdoret vetëm kur ekziston një rrezik real për procesin penal. Pikërisht për këtë arsye, kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj deputetes Belinda Balluku me një masë më të rëndë si arresti në burg apo arresti në shtëpi nuk mund të shihet vetëm si një çështje procedurale, por si një test për mënyrën se si balancohet lufta kundër korrupsionit me standardet e shtetit të së drejtës. Nga ajo që është bërë publike deri tani, argumentet mbi të cilat mbështetet kërkesa e organit të akuzës ngrihen mbi tre shtylla klasike të procedurës penale: rreziku i prishjes së provave, rreziku i arratisjes dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale. Por një analizë e fakteve konkrete tregon se secila prej këtyre shtyllave mbështetet më shumë në hipoteza sesa në prova reale.
Pretendimi për rrezik të prishjes së provave përballet menjëherë me një paradoks procedural: ndaj Ballukut nuk ekziston asnjë akuzë për pengim të drejtësisë. Në praktikën penale, kur ekzistojnë indicie serioze se një person po ndërhyn në prova, kjo zakonisht materializohet edhe në një akuzë të veçantë për pengim të drejtësisë. Në këtë rast një akuzë e tillë mungon. Edhe vetë natyra e veprës penale për të cilën ajo hetohet, shkelja e barazisë në tendera, është një vepër që mbështetet kryesisht mbi dokumentacion administrativ. Ky dokumentacion tashmë ndodhet i sekuestruar në institucionet përkatëse dhe në dispozicion të organit të prokurorisë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e provave të tjera janë administruar tashmë nga hetimi. Në këto kushte, hapësira reale për manipulim provash bëhet minimaliste. Argumenti i vetëm i artikuluar publikisht lidhet me një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë për një dëshmi të dhënë në SPAK dhe ku pretendohet se njëra prej tyre mund të jetë intimiduar. Por edhe këtu lind një problem themelor: nga vetë përmbajtja e procesverbalit nuk rezulton që personi në fjalë të jetë intimiduar realisht, aq më pak nga deputetja Balluku. Referencat ndaj një “kabineti” mbeten një nocion abstrakt, ndërkohë që përgjegjësia penale kërkon identifikim konkret dhe prova të qarta. Madje vetë personi në fjalë shprehet se do t’i qëndrojë dëshmisë së dhënë në prokurori pavarësisht çdo presioni të mundshëm, çka e dobëson edhe më tej tezën e ndërhyrjes në procesin hetimor.
Po aq i brishtë duket edhe argumenti për rrezikun e arratisjes. Jurisprudenca e gjykatave shqiptare dhe ajo e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është e qartë: rreziku i arratisjes nuk mund të ndërtohet mbi supozime apo mbi peshën politike të personit nën hetim, por mbi sjellje konkrete që tregojnë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Në rastin konkret ndodh e kundërta. Balluku ka qenë në dijeni të hetimeve që prej gushtit të vitit 2024 dhe edhe pasi iu komunikua akuza nga SPAK ajo ka udhëtuar disa herë jashtë vendit, në Bukuresht, Athinë dhe Romë, duke u kthyer çdo herë në Shqipëri. Kjo është një sjellje që në çdo sistem juridik konsiderohet tregues i mungesës së rrezikut për arratisje. Edhe më domethënëse është mënyra se si ajo ka respektuar masën e vendosur nga gjykata, duke dorëzuar dokumentet e identifikimit dhe madje edhe kartën e re të identitetit që ishte lëshuar pas vendosjes së ndalimit të daljes jashtë shtetit. Në praktikë, kjo është pikërisht sjellja që pritet nga një person që nuk synon t’i shmanget drejtësisë.
Argumenti i tretë lidhet me rrezikun e përsëritjes së veprës penale, por edhe këtu analiza e situatës konkrete krijon një distancë të dukshme mes tezës së prokurorisë dhe realitetit institucional. Balluku sot nuk ushtron më funksione ekzekutive në administratë dhe për rrjedhojë nuk ka më rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrje administrative të lidhura me procedura tenderimi apo me menaxhim fondesh publike në kuptimin operacional të fjalës. Interpretimi sipas të cilit çdo funksionar publik që administron fonde publike përbën potencialisht rrezik për përsëritjen e veprës penale do të krijonte një precedent problematik për vetë sistemin juridik. Me këtë logjikë, pothuajse çdo zyrtar publik mund të konsiderohej subjekt arresti paraprak vetëm për shkak të funksionit që mban. Kjo do ta shndërronte masën e sigurimit nga një instrument procedural për garantimin e hetimit në një formë sanksioni paraprak ndaj funksionit publik.
Por ky debat nuk mund të shkëputet nga një problem më i gjerë i sistemit penal shqiptar: përdorimi i tepruar i paraburgimit si masë sigurimi dhe zgjatja shpesh e pafundme e proceseve hetimore dhe gjyqësore. Në teori, paraburgimi duhet të jetë masa e fundit, e përdorur vetëm kur nuk ekziston asnjë alternativë tjetër për të garantuar procesin penal. Në praktikë, në Shqipëri ai është shndërruar shpesh në një mekanizëm rutinë, i cili në shumë raste paraprin dhe madje zëvendëson logjikën e vetë gjykimit. Kur një person qëndron për periudha të gjata në paraburgim ndërsa hetimi dhe procesi zvarriten për vite, masa e sigurimit humb funksionin e saj procedural dhe fillon të marrë karakter ndëshkues përpara se të ketë një vendim gjyqësor përfundimtar.
Kjo është arsyeja pse jurisprudenca europiane e ka theksuar vazhdimisht se arresti paraprak duhet të mbetet përjashtim dhe jo rregull. Nëse përdorimi i tij bëhet i zakonshëm dhe nëse procedurat zgjasin pafund, atëherë dëmtohet vetë parimi i prezumimit të pafajësisë dhe balanca mes shtetit dhe individit.
Në këtë kuptim, çështja Balluku nuk është vetëm një debat për fatin juridik të një deputeteje apo për një hetim konkret. Ajo është edhe një pasqyrë e një dileme më të madhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri: deri ku mund të shtrihet përdorimi i masave më të rënda të sigurimit pa rrezikuar që ato të kthehen nga instrument i hetimit në një formë presioni procedural. Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: a kemi përballë një domosdoshmëri reale hetimore apo një kërkesë që juridikisht mbështetet mbi një bazë shumë më të brishtë sesa narrativa që e shoqëron në hapësirën publike. (Lajmetroç.al)








