Pasi të mbyllet ky edicion, për Armando Brojën nuk dihet ende se ku do të jetë e ardhmja e tij.
Sulmuesi është huazuar nga Çelsi te Evertoni, por londinezët i kanë bërë të qartë se nuk ka më vend në radhët e bluve pasi të ketë përfunduar kjo periudhë huazimi.
Kjo ka sjellë pasiguri për të ardhmen e Brojës, por duket se në skenë ka dalë një hipotezë shumë interesante për sulmuesin shqiptar.
Broja si duket ka përfunduar në radarët e një prej klubeve më të njohura në Spanjë, Celta Vigos, shkruan portali i specializuar për merkaton, “Fichajes”.
Ky klub po kërkon një lojtar me tiparet e Brojës për repartin e avancuar, të fortë fizikisht, por edhe me teknikë të pëlqyeshme, në mënyrë që të përforcojë radhët për edicionin e ardhshëm, ku shpreson të jetë pjesëmarrës në kompeticionet ndërkombëtare pas është më garë për një vend mes skuadrave që do luajnë në Europë.
Bëhet e ditur se Broja po monitorohet me vëmendje si për atë që po jep në fushë e lojës, ashtu edhe me situatën kontraktuale të tij, Nëse do të bindin lojtarin që të transferohet në La Liga, spanjollët shpresojnë të marrin një çmim “okazion” nga Çelsi i dëshpëruar që të mbushë arkat.