Një incident i rëndë me sfond të dyshuar kriminal ka tronditur sot ambientin politik në Tiranë. Në qendër të ngjarjes ndodhet Lendi Palaj, i njohur si menaxheri i lokaleve “333” dhe “CR7”, të cilat janë denoncuar më parë nga gazetarja Ola Xama si pjesë e një rrjeti të mundshëm bastesh të paligjshme.

Palaj është sulmuar fizikisht në afërsi të zyrave elektorale të Partisë Social Demokrate (PSD), ku ishte strehuar në momentin e përplasjes. Burime nga policia konfirmojnë se një prej autorëve të dyshuar është Lorenc Telhallari, që thuhet se kishte borxhe të papaguara ndaj Palajt. Por ngjarja ka eskaluar edhe më tej: në vendngjarje është rikthyer edhe babai i Lorencit, Arjan Telhallari, i cili, sipas dëshmive, ka qenë në gjendje të dehur dhe është parë duke lëvizur me një armë automatike të dyshuar të tipit “Scorpion” në duar, përballë zyrave të PSD-së.
Policia ka sekuestruar dy fishekë lufte dhe po heton për armëmbajtje pa leje, kërcënim me armë dhe sulm fizik. Ngjarja ka ndezur alarmin për praninë e elementëve të rrezikshëm në fushatën zgjedhore dhe ka hapur debat mbi lidhjet e errëta mes botës së basteve të paligjshme dhe aktiviteteve politike.
Hetimet vazhdojnë intensivisht.






