Nga Maksi Çami
Në një shkrim të botuar në blogun neokomunist “Teza11” me titullin “Lufta për Zotin”, Arlind Qori shfaq një qëndrim të paprecedentë për një figurë publike me ambicie politike: përbuzjen e hapur jo vetëm ndaj fesë si institucion, por edhe ndaj vetë idesë së Zotit dhe, për rrjedhojë, ndaj të gjithë atyre që besojnë në Të. (Nese doni ta lexoni shkrimin e tij plot mllef, kërkojeni ne ate blog, sepse edhe mund t’i fshije)
Qori nuk flet si kritik. Ai nuk ngre një debat mbi rolin e fesë në shoqëri. Ai predikon një ideologji ku Zoti është armiku, feja është mjegull dhe besimtarët janë të mashtruar. Kjo nuk është thjesht ateizëm. Kjo është përçmim ideologjik dhe moral i një pjese të madhe të shqiptarëve që kanë zgjedhur të jetojnë me udhëzimet dhe shpresën që u jep feja.
Ai shkruan: “Feja nuk është zgjidhje, por pjesë e problemit.” Dhe më tej: “Nuk mund të ketë çlirim njerëzor përmes fesë, sepse feja është e ndërtuar për të penguar këtë çlirim.”
Si për çdo komunist, edhe për Arlind Qorin, çlirimi i njeriut nuk vjen përmes lutjes, por përmes luftës kundër besimit. Ky lloj mendimi, që buron nga një marksizëm dogmatik të epokës së vjetër, nuk gjen vend në realitetin e sotëm shqiptar, ku feja nuk është as opium e as prangat e njeriut por një burim i përditshëm morali, shprese dhe bashkimi.
Përmendja e fesë si “mashtrim ideologjik” është më shumë sesa një etiketë. Është një fyerje për miliona shqiptarë që falen në xhami, që ndiznin qirinj nëpër kisha edhe gjatë komunizmit, që jetojnë me besimin se mbi ne ka një të Vërtetë më të madhe, më të drejtë, më të mëshirshme. Është një përbuzje ndaj nënave që luten për fëmijët, ndaj burrave që falin mëkatet e tyre, ndaj të rinjve që kërkojnë drejtim e kuptim në një botë gjithnjë më e pasigurt.
Po pse i fyen Arlind Qori këta njerëz? Pse nuk i sheh si qytetarë të ndershëm me të drejtën për të besuar, por si pengesë për “çlirimin e tij ideologjik”? Sepse në botën e tij, nuk ka vend për Zot dhe as për ata që e duan Atë.
Shqipëria ka nevojë për politikë që bashkon, jo për ideologji që përçajnë. Ne kemi vuajtur gjatë nga dhuna e ideve që talleshin me Zotin dhe e zëvendësuan atë me kultin e individit. Sot, kur kemi mundësi të ndërtojmë një demokraci ku secili gjen vend me të gjithë identitetet e tij, Arlind Qori vjen për të ringjallur përçarjen.
Askush nuk i kërkon Qorit të besojë. Besimi është çështje ndërgjegjeje. Por respekti për besimin e të tjerëve është çështje qytetarie. Dhe kur një figurë publike flet me përçmim për fenë dhe për vetë ekzistencën e Zotit, ai jo vetëm që humbet të drejtën për të përfaqësuar besimtarët, por i përjashton ata nga projekti i tij politik.
Sepse, në fund të fundit, një njeri që nuk respekton Zotin zor se do të respektojë njerëzit. Dhe Arlind Qori, me këtë shkrim, e ka bërë të qartë se nuk i do as të parin, as të dytët. Ndaj, votat e atyre që besojnë, ai nuk i kërkon dot sepse i përbuz.