FLASH :

Arlind Qori nuk guxon të përmendë emrin e firmës ku vdiq minatori në Bulqizë

Një tjetër tragjedi që goditi të mërkurën minierat e Bulqizës: Fari Veliu, 66 vjeç, humbi jetën pas rënies së një masivi shkëmbor brenda një galerie në pronësi të kompanisë “GERTI Shpk”. Viktima, pavarësisht moshës së thyer, detyrohej ende të futej çdo ditë në nëntokë për të siguruar jetesën. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, ndërsa Veliu u transportua në Spitalin e Bulqizës pa shenja jete.

Galeria ku ndodhi aksidenti i përket biznesmenit Jeton Dani, babai i Murat Danit, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste. Pavarësisht kushteve të mjerueshme të sigurisë dhe mungesës së kontrollit institucional në minierat e zonës, policia ka arrestuar vetëm pesë punonjës teknikë, ndërsa pronari ka mbetur jashtë çdo lloj përgjegjësie ligjore.

Ndërkohë, aktivisti dhe politikani Arlind Qorri reagoi me një deklaratë emocionale, duke e cilësuar shtetin si të pandjeshëm ndaj punëtorëve dhe akuzoi qeverinë se ka ulur dënimet për vdekjet në vendin e punës me Kodin e ri Penal. Ai theksoi ironinë se, ndërsa punëtorët vdesin në galeri, qeveria po ul dënimet për zyrtarët e korruptuar.

Por pavarësisht tonit kritik, vetë Qorri nuk përmendi as emrin e kompanisë “GERTI Shpk” e as lidhjet politike të familjes Dani me qeverinë, duke lënë të kuptohet se guximi i opozitës së re ndalet aty ku fillon interesi elektoral apo frika nga prekje të “të paprekshmëve”.

Një tjetër tragjedi në minierat e Bulqizës, një tjetër pronar i mbrojtur, dhe një tjetër reagim politik që i shmanget thelbit. Minatorët vdesin në heshtje, ndërsa fjalët zbukurojnë të njëjtin realitet të shëmtuar.