FLASH :

Ariu hyn në shtëpi për mëngjes, por nuk e priste sulmin nga ky mini–qen hero

Vancouver, Kanada – Një ari i zi u gjend përballë një surprize të frikshme kur hyri në një shtëpi në Vancouver dhe hasi një kundërshtar krejt të papritur – një Pomeranian vetëm gjashtë paund, por me guxim prej luani.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur ariu i ri hyn në dhomën e ndenjjes, duke nuhatur mobiliet, derisa nga korridori shpërthen me vrap “Scout”, 3 vjeç, duke lehur e ulëritur pa pushim. Përballë këtij sulmi të vogël por të vendosur, ariu kthen menjëherë shpinën dhe ia mbath nga dera, ndërsa qeni e ndjek me vrull deri në oborr.

Pronaria, Kayla Kleine, dëgjohet duke thirrur me panik “Scout! Kthehu!” ndërsa e shikon të kapërcejë shkallët dhe të ndjekë ariun që zbrisnin nga kopshti. Sipas saj, ariu është një vizitor i shpeshtë në zonë, por këtë herë e kishte tepruar duke hyrë në shtëpi dhe madje duke shijuar edhe mëngjesin e qenit.

“Kur e pashë, ariu po dilte me vrap nga kuzhina dhe Scout po e ndiqte. U përpoqa të marr sprejin kundër arinjve, por kur dola jashtë, ai e kishte ngjitur arushin mbi gardh,” – rrëfen Kleine për mediat.

Ajo thotë se Scout, edhe pse i vogël dhe i përkëdhelur, është jashtëzakonisht mbrojtës dhe nuk ngurron të përballet me këdo që i afrohet shtëpisë. “Ishte shumë trim. Jam krenare për të,” – shton ajo, duke premtuar se nga tani e tutje dera do të qëndrojë e mbyllur.

Ky incident i pazakontë është një kujtesë se edhe heronjtë më të vegjël mund të bëjnë gjëra të mëdha.