Ardian Ismajli është lideri i skuadrës së Torinos. Që prej rikthimit të tij në fushë pas dëmtimit, skuadra e Baronit ka arritur që të marrë 2 fitore radhazi. E fundit ishte kundër Sasuolos, ku mbrojtësi i Kombëtares shqiptare dha kontribut në prapavijë për të mbajtur portën të paprekur.
Ismajli ka qenë gjithmonë në fushën e lojës në 6 fitoret sezonale që ka arritur ekipi torinez, 5 në kampionat dhe 1 në Kupë, duke pasur një impakt të drejtpërdrejtë në rezultatet pozitive.
E kundërta ndodh kur ai mungon prej dëmtimeve. Torino ka 4 humbje pa Ismajlin në formacion. Këtë sezon po bën disa role në prapavijë, qoftë si qendër e djathtë, por edhe e majtë. Megjithatë, mbrojtësi kuqezi kërkon t’i ndajë meritat me shokët e skuadrës.
“Nuk jam vetëm unë lideri i mbrojtjes. Te Torino jemi të gjithë liderë, edhe ata që nuk luajnë kanë rëndësinë e tyre në fushën e lojës. Jemi ekip kompakt dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Unë mund të mbuloj disa role. Duhet të vazhdojmë kështu.”
Ismajli ka luajtur 10 ndeshje në këtë sezon të Serisë A.









