Disa ditë më parë, policia arrestoi në flagrancë të shumëkërkuarin Xhevdet Plaku, i cili ishte arratisur nga një burg në Itali. Ai është një person me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar për trafik droge dhe vrasje, ndërkohë që në Shqipëri livadhiste i lirë nën shoqërinë e disa të shumëkërkuarve të tjerë, pra një bandë e mirëfilltë kriminelësh, të cilët po drekonin në një nga plazhet e Durrësit me peshk krudo dhe shampanjë. Kjo është dëshmi e qartë se krimi ka aq pushtet dhe para, sa që e ka futur në xhep policinë e Ilir Prodes dhe trajtohen si ushtarë që thjesht marrin pagesa nga krimi dhe rrinë në rresht duke zbatuar vullnetin e grupeve kriminale.
Po të mos ishte për dosjen e prokurorisë në Bari, e cila mbërriti e kopsitur në Shqipëri me emra dhe prova të shqiptarëve të përfshirë në trafikun e kokainës dhe heroinës, nuk do të kishte asnjë ndryshim, dhe Xhevdeti me shokë do të vazhdonin të hanin krudo në shumë plazhe të tjera të Durrësit, të armatosur gjer në dhëmb, sikurse rezultoi që ishin edhe në tavolinën e famshme, duke qenë një rrezik jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare.
Policia e Ilir Prodes sot është e gjunjëzuar përballë krimit dhe i bën fresk atij. Vetëm në raste kur ka bashkëpunime ndërkombëtare, policia dhe shteti ynë janë të detyruar të tregojnë se janë bashkëpunues, dhe sa për makiazh futet një person në burg. Por ne jemi të sigurt që ata që burgosen janë sekserë të vërtetë të botës së krimit, ndërkohë që padronët e tyre qëndrojnë të fshehur dhe të kamufluar mirë në sferat politike.