FLASH :

Apple i vë ‘syrin’ ChatGPT

Apple iu desh pak kohë që të krijonte mjetin e vet të Inteligjencës Artificiale, edhe kur kompania prezantoi Apple Intelligence, bashkëpunoi me OpenAI dhe përdori ChatGPT për të ndihmuar përdoruesit me kërkesat më të ndërlikuara.

Por duket se ekzekutivët e programeve dhe marketingut të kompanisë nuk e panë nevojën për të krijuar një ‘chatbot’ sepse s’ishin shumë të përhapur apo të dobishëm për të justifikuar shpenzimin, shkruan Cybernews. Gjithashtu shpërfillën fjalët se ky element mund ta linte kompaninë pas në zhvillimin e IA.

Apple Intelligence mund të përdoret vetëm për të përmbledhur tekste, redaktuar, pastruar foto dhe detyra të tjera të ngjashme, por jo si ChatGPT apo Gemini.

Edhe Siri ka hapësirë për përmirësim pasi varet nga ChatGPT për pyetjet e ndërlikuara.

Duke qenë se Apple nuk ka motorin e vet të kërkimit, ka një marrëveshje me Google që i paguan kompanisë 20 milionë dollarë në vit për të qenë opsioni parësor në pajisjet e saj.

Por gjërat do të ndryshojnë pasi Departamenti i Drejtësisë në SHBA do të vendosë ndryshime në mënyrën sesi përdoruesit kërkojnë duke e përdorur ‘chatbot’-in për më shumë gjëra.

Duke marrë në konsideratë këto ndryshime, kompania po shkon drejt një përvoje më moderne kërkimi.

Sipas Bloomberg, Apple ka krijuar një ekip të ri, Përgjigje, Dije dhe Informacion (AKI). Qëllimi i tij kryesor është zhvillimi i shërbimeve të reja të IA dhe zgjerimi i përvojës së kërkimit të përdoruesve.

AKI ka nisur tashmë punën mbi një “motor përgjigjesh” që do t’u përgjigjet pyetjeve duke kërkuar në rrjet. Një aplikacion dhe një infrastrukturë e posaçme për Siri, Spotlight dhe Safari janë gjithashtu në zhvillim.