FLASH :

Apeli konfirmon burgimin e përjetshëm për Festim Bexhdilin për zhdukjen e Jan Prengës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, i akuzuar për përfshirje në zhdukjen e Jan Prengës.

Festim Bexhdili, i cili ishte kopshtari i resortit ku u pa për herë të fundit pengu Jan Prenga, u shpall fajtor nga gjykata. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi dhe Dhimitër Lara, shqyrtoi çështjen pas kthimit të saj për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit të mëparshëm të Apelit.

Në vendimin e shpallur sot në Tiranë, më datë 25 korrik 2025, GJKKO konfirmoi lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke ngarkuar gjithashtu solidarisht të pandehurin me shpenzimet gjyqësore.

Rasti i Jan Prengës lidhet me rrëmbimin e tij më 17 janar 2020 pranë banesës së tij në rrugën ‘London’ në Kamëz. Sipas hetimeve të SPAK, rrëmbimi lidhet me dyshimet për vjedhjen e një sasie kokainë që vinte nga Ekuadori dhe ishte destinuar për portin britanik të Portsmouth-it, ku dyshohet se ishte i përfshirë vëllai i Prengës.

Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë në këtë çështje të ndjeshme dhe vijon të tregojë angazhimin e institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrëmbimeve.