Në një vend ku logjika është kthyer në luks dhe arsyetimi i ftohtë shihet si cinizëm, çmimi i një apartamenti në Tiranë është kthyer në simbolin më brutal të absurdit shqiptar urban. Dikur, banesa ishte strehë. Sot është kurth. Kurth financiar, psikologjik dhe social.
Një apartament 80 m² në Tiranë sot kushton minimalisht 120 mijë euro. Me një kredi tipike 25-vjeçare, qytetari shqiptar do të duhet të paguajë afërsisht 700 euro në muaj, që përkon me pagën mesatare kombëtare. Me fjalë të tjera, duhet të jetosh 25 vjet pa ngrënë, pa pirë, pa u sëmurë e pa pushuar, vetëm për të shlyer një banesë që do të quhet “e jotja” pak para se të dalësh në pension.
Nëse nisesh në këtë rrugëtim në moshën 30-vjeçare, borxhi do të mbarojë në moshën 55. Por kujt i hyn më në punë një apartament në atë moshë, kur dekadat më aktive të jetës kanë kaluar? Kjo është logjika e çmendurisë kolektive që ka kapur tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë. Një treg që sillet si në Londër, por që ofron standard ndërtimi si në periferitë më të varfra të Afrikës.
Kullat shumëkatëshe në qendër të Tiranës shesin metrin katror nga 4,000 euro e sipër, ndërkohë që kostoja reale e ndërtimit në Shqipëri është rreth 360 euro/m², sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për vitin 2024. Diferenca prej 90 mijë eurosh për një apartament të zakonshëm është një faturë abuzimi, spekulimi dhe korrupsioni që i faturohet një qytetari që kërkon vetëm një çati mbi kokë.
Edhe më ironik është fakti që qarqe si Gjirokastra, Dibra dhe Lezha tashmë raportojnë kosto ndërtimi më të larta se Tirana, duke shfaqur qartë se çmimet në Shqipëri nuk ndjekin asnjë logjikë tregu – por vetëm rrjedhën e një ekonomie të deformuar nga interesat e oligarkëve të betonit.
Bregdeti: Investimi që ka kuptim
Në këtë sfond absurd, lind pyetja: pse të mos investosh në bregdet? Në zonat bregdetare të Shqipërisë – nga Shëngjini në veri, te Orikumi në jug – çmimet e apartamenteve variojnë nga 700 deri në 1,000 euro/m². Për të njëjtin apartament prej 80 m², çmimi do të ishte mes 56,000 dhe 80,000 eurove, gati gjysma e kostos në Tiranë.
Dhe ndryshimi nuk është vetëm në çmim. Bregdeti ofron potencial turistik, të ardhura sezonale, dhe mbi të gjitha, leverdi afatgjatë. Një apartament në bregdet mund të gjenerojë nga 3,000 deri në 7,000 euro në vit nga qiraja sezonale – çka do të thotë se investimi mund të shlyhet në më pak se 10 vjet, ndërsa apartamenti në Tiranë mbetet një “gropë” që kërkon 25 vjet borxh pa kthim.
Në vend të një kredie që të shkatërron jetën, mund të kesh një pasuri që të jep qetësi, të ardhura dhe mundësi. Në vend të një dritareje që sheh në murin e një ndërtese tjetër, mund të kesh një pamje nga deti. Në vend të robërisë financiare, mund të zgjedhësh një rrugë më të lirë, më të zgjuar dhe më të lirë – në kuptimin më të plotë të fjalës.