FLASH :

“Annabelle” ngjall panik në SHBA: Kukulla e mallkuar viziton Luizianën, shpërthen zjarr dhe arratisen 11 të burgosur

Vizita e kukullës së famshme të frikshme “Annabelle” në Luizianë dhe Nju Orlins ka ngjallur panik në rrjetet sociale, pasi disa ngjarje të frikshme kanë ndodhur menjëherë pas mbërritjes së saj në këto qytete.

Kukulla, e cila ka frymëzuar tre filma horror të famshëm dhe është pjesë e universin kinematografik që nisi me “The Conjuring” më 2013, po udhëton aktualisht nëpër SHBA si pjesë e turit “Devils on the Run” që ekspozon objekte të koleksionit të Muzeut Okult të Warrens në Monroe.

Eksperti i fenomeneve paranormale dhe ish-prezantuesi i emisionit “Paranormal State”, Ryan Daniel Buell, publikoi pamje të kukullës në TikTok, duke marrë miliona shikime. “Energjia këtu është krejt ndryshe,” tha ai. “Djemtë nga Shoqata e Kërkimeve Psikike të Anglisë së Re më ftuan ta mbaja… s’po gënjej, gjatë gjithë kohës thosha Lutjen e Atit Tonë.”

Ndërkohë që Annabelle ndodhej në Luizianë, një zjarr shkatërroi një shtëpi të vjetër plantacioni të ndërtuar në vitin 1859, duke dëmtuar thuajse të gjithë strukturën historike. Vetëm pak kohë më pas, autoritetet konfirmuan arratisjen e 11 të burgosurve nga burgu i Nju Orlinsit.

Zyra e Sherifit të Parishit njoftoi se të burgosurit, të cilët konsiderohen të armatosur dhe të rrezikshëm, u raportuan të zhdukur gjatë një numërimi rutinë rreth orës 08:30 të mëngjesit të së premtes. Dyshohet se arratisja ka ndodhur pas mesnate. Sherifja Susan Hutson e quajti këtë një “situatë shumë serioze dhe të papranueshme” pa dhënë detaje për mënyrën e arratisjes.

Në rrjetin X (ish-Twitter), përdoruesit shpërndanë teori konspirative duke lidhur ngjarjet me kukullën e mallkuar:

“Annabelle vjen në Luizianë, një shtëpi historike digjet dhe 11 të burgosur arratisen… tani është në San Antonio, Texas. Shko në shtëpi Annabelle, nuk të duam këtu.”
“A është rastësi që e çuan kukullën në Nju Orlins dhe të nesërmen plantacioni #Nottoway – një nga më famëkeqët në histori – u dogj?”
“Tre ditë më parë e zhvendosën Annabelle nga Connecticut në Nju Orlins dhe tani një nga plantacionet më të mëdha të kallam sheqerit digjet, ndërsa 11 të burgosur arratisen. A nuk thanë Warren-ët që nuk duhej lëvizur kurrë?”

Pavarësisht frikës dhe aludimeve në rrjete sociale, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë konfirmim që këto ngjarje kanë ndonjë lidhje me vizitën e kukullës Annabelle. Për momentin, këto mbeten spekulime.