Edhe pse të dyja vende anëtare të NATO-s dhe mund të duket një operacion rutinë, në fakt duket se Turqia ka dashur të tregojë se qëndron pranë Shqipërisë – një sinjal përkrahjeje dhe tregim i qartë force, sidomos duke marrë parasysh përplasjet e fundit të Shqipërisë me Greqinë dhe rivalitetin tradicional midis Turqisë dhe shtetit helen për çështje detare dhe tokësore. Nga Athina, kjo lëvizje po vëzhgohet me mjaft kujdes.
Durrës – Në Portin e Durrësit ka mbërritur “TCG Sancaktar”, anija desantuese e dytë e klasit “Bajraktar”, pjesë e flotës ushtarake turke dhe e forcave të Aleancës Atlantike.
Anija është ndalur në gjirin e Durrësit për një vizitë njëditore, në kuadër të misionit NSPA të NATO-s. E ndërtuar në vitin 2016 në kantierin “Anadolu (ADIK)”, “TCG Sancaktar” ka një gjatësi prej 139 metrash dhe kapacitet mbajtës deri në 1,180–1,200 tonë ngarkesë. Ajo mund të transportojë 18–20 tanke ose 24 automjete të blinduara, si dhe rreth 350 trupa në bord.
“TCG Sancaktar” është një anije strategjike, që fuqizon ndjeshëm kapacitetet amfibe dhe të mbështetjes logjistike të Turqisë në Mesdhe dhe më gjerë. E pajisur me sisteme moderne të mbrojtjes dhe armë të teknologjisë së lartë, ajo përbën një aset kyç në operacione detare dhe humanitare.
Anija ka marrë pjesë në disa misione të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë operacionin Peace Spring në Siri në vitin 2019 dhe stërvitjen Efes 2024, ku ka kontribuar në bashkëpunimin strategjik, transportin e pajisjeve dhe personelit nga deti në breg, ndihmën humanitare dhe ndërhyrjet në raste fatkeqësish natyrore.