FLASH :

Ankesa e qytetares në Troç: Drejtori i Hipotekës në Tiranë po më shkatërron jetën për pronën në Laprakë!

Vijojnë ankesat e shumta për Kadastrën Shtetërore në Troç. Në pamundësi për t’i publikuar ato të gjitha në një ditë. Do të vijojmë me publikimin e tyre sistematike, duke u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të diskriminuar.

Një pronare nga Tirana, tregon me detaje dhe fakte kalavarin që po i duhet të përballet prej vitesh për të gjetur të drejtën e pronës së saj.

Ajo i konsideron Hipotekat të mbushura me zyrtare të paaftë dhe të korruptuar.

Ajo ka përcjelle të ne një letër të hapur dërguar edhe Kryeministrit Rama.

Më poshtë shqetësimi i qytetares Helga Demneri:

“I nderuar Z. Kryeministër i Shqipërisë,

Dëshiroj të shpreh shqetësimin dhe ankesën time në lidhje me procesin e marrjes së shërbimeve nga institucionet shtetërore. Si qytetare e Tiranës dhe pronare e disa pasurive të trashëguara nga familja ime, fatkeqësisht nuk e kam ndjerë kurrë veten si pronare e vërtetë. Kjo, si në rastet kur prona është e lirë, ashtu edhe në ato kur është zaptuar pa të drejtë dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe sot.

Po përqendroj ankesën time në një rast konkret që më ka shkaktuar dhimbje, lodhje, rraskapitje mendore, stres dhe poshtërim nga burokratët dhe burokracitë e pafundme.

Një nga pronat e mia ndodhet në Laprakë, ku disa qytetarë e kanë zaptuar ndër vite dhe kanë ndërtuar mbi të. Për t’i legalizuar këto ndërtime, shteti ka miratuar ligje që i lejojnë të marrin tokën, ndërsa pronarëve u premtohet kompensim financiar nëpërmjet vendimeve të Këshillit të Ministrave, bazuar në çmimin e referencës.

Në përputhje me ligjin, aplikova pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), duke pritur kompensimin brenda afatit ligjor prej 90 ditësh. Megjithatë, tashmë kanë kaluar dy vite dhe ende nuk kam marrë përgjigje. Arsyeja që më është dhënë vazhdimisht nga juristi i ATP-së është se ASHK Tirana Veri nuk ka dërguar informacionin e nevojshëm.

Z. Kryeministër, kjo situatë më çon në dy përfundime:

Drejtorët dhe zyrtarët përgjegjës janë individë të paaftë, të papërkushtuar dhe pa aftësi për të ushtruar detyrën e tyre.

Institucionet shtetërore, me ose pa dashje, po pengojnë në mënyrë sistematike pronarët që të marrin të drejtat e tyre, duke i lodhur, poshtëruar dhe vonuar deri në atë pikë sa të dorëzohen ose të mos jenë më në gjendje ta kërkojnë të drejtën e tyre.

Një problem shtesë është dhe sistemi e-Albania, i cili në vend që të lehtësojë procedurat, është kthyer në një kurth burokratik. Përmes tij, qytetarët vetëm paguajnë, nuk marrin shërbimin e duhur dhe nuk kanë as mundësinë të komunikojnë drejtpërdrejt me personat përgjegjës për dosjet e tyre.

Ankesa ime i drejtohet konkretisht ASHK Tirana Veri, nën drejtimin e z. Erjon Galanxhi, i cili me paaftësinë e tij dhe të stafit të tij, po bllokon zbatimin e një procesi kaq të thjeshtë. Thjesht duhet t’i dërgojnë ATP-së pjesën takuese për secilin bashkëpronar, në mënyrë që secili të marrë atë që i takon me të drejtë.

Kjo situatë është e papranueshme. Ju bëj thirrje që të merrni masa konkrete për të ndihmuar pronarët të ndihen sërish të tillë dhe të marrin hakun e tyre”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *