Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin amator shqiptar, pasi 29-vjeçari Bledar Hajdari humbi jetën mbrëmjen e djeshme si pasojë e një arresti kardiak gjatë ndeshjes mes FC Dajtit dhe FC Lumninesen. Ajo që e ka rënduar më shumë situatën është fakti se, sipas dëshmitarëve, ambulanca që mbërriti në vendngjarje nuk kishte asnjë mjek në bord.
Sipas denoncimeve të miqve dhe shokëve të ekipit, në ambulancë ndodhej vetëm shoferi dhe askush i kualifikuar për të dhënë ndihmën e parë. Në momentet kritike, i vetmi që tentoi të ndihmonte ishte fizioterapisti i ekipit. “Ambulanca erdhi pa doktor. Vetëm shoferi ishte brenda. Askush tjetër nuk dinte ç’të bënte. Ishte vetëm fizioterapisti që reagoi,” – shprehet një nga miqtë e Bledarit për redaksinë tonë.
Kjo neglizhencë ka ngjallur zemërim dhe tronditje në komunitetin sportiv dhe më gjerë, duke ngritur pikëpyetje të rënda mbi gatishmërinë e shërbimeve emergjente. Familjarët dhe miqtë e të ndjerit kërkojnë që përgjegjësit të identifikohen dhe të mbahet përgjegjësi për keqmenaxhimin fatal të një situate që mund të ishte trajtuar ndryshe. Autoritetet përkatëse pritet të nisin një hetim të plotë mbi rastin.