Altin Luli, 47 vjeç, humbi jetën në një aksident tragjik të ndodhur këtë të hënë në aksin rrugor Shkodër–Lezhë. Ai po udhëtonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur kur automjeti i tyre u përplas me një kamion. Përplasja fatale i mori jetën menjëherë Altin Lulit, ndërsa familjarët e tij, së bashku me disa pasagjerë të një mjeti tjetër të përfshirë në aksident, mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin e Shkodrës. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Të lënduarit janë identifikuar si Mateo Luli, Laura Luli, Hilmi Shkrela dhe Anxhela Hasaj – kjo e fundit pasagjere në automjetin tjetër të përfshirë në përplasje. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulanca, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e aksidentit. Altin Luli ishte djali i pedagogut të ndjerë Fran Luli, një emër i njohur në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.