Të lodhur nga turmat e pushimeve dhe çmimet që vetëm rriten? Ekspertët e udhëtimeve sugjerojnë “destination dupes” – alternativa më të qeta, më të lira dhe po aq magjepsëse sa destinacionet më të famshme.
Ja disa prej zëvendësimeve më të rekomanduara:
🇮🇸 Zëvendëso Islandën me Ishujt Faroe

Turizmi në Islandë është rritur me ritme të shpejta, duke sjellë me vete edhe rritje çmimesh dhe një taksë turistike të re nga viti 2024.
Ekspertët e Travel Counsellors sugjerojnë Ishujt Faroe për ata që kërkojnë diçka më të egër, të paprekur dhe të largët.
“Ishujt Faroe ofrojnë qetësi, shkëmbinj të thepisur, male të blerta dhe fjorde që përplasen drejt e në Atlantik – një përvojë e natyrës në izolim të vërtetë.”
🇪🇸 Harro Barcelonën, vizito Gironën

Barcelona përballet me mbingarkesë turistike dhe protesta lokale kundër turizmit masiv.
Si alternativë më e lirë dhe më e qetë, Skyscanner sugjeron Girona, një qytet vetëm pak kilometra larg.
“Me monumente historike, parqe, muze, ushqim të mrekullueshëm dhe më pak turma, Girona është një perlë e paprekur në verilindje të Spanjës.”
🇫🇷 Ndërro Provence me Transilvaninë

Provence e Francës është simbol i relaksit rural dhe verës së mirë – por edhe mjaft e kushtueshme dhe e mbipopulluar.
Sipas Travel Counsellors, Transilvania e Rumanisë ofron të njëjtat peizazhe – por me një prekje më të egër dhe më pak turistë.
“Fusha të valëzuara, fshatra mesjetare, ushqim autentik dhe verë lokale – e gjitha kjo me sfondin dramatik të Karpateve.”
Harro Maldivet, zgjidh Fuerteventurën

Maldivet janë ëndrra e shumë të sapomartuarve, por pushimet atje janë të kripura për portofolin.
Në vend të tyre, ekspertët rekomandojnë Fuerteventurën në Ishujt Kanarie, Spanjë – një alternativë tropikale dhe shumë më e përballueshme.
Me plazhe të bardha dhe ujëra të kristaltë, ajo quhet ndryshe “Maldivet e Europës”. Fluturimet nga Britania kushtojnë më pak se 100 paund vajtje-ardhje.
🇨🇴 Zëvendëso Machu Picchu me Ciudad Perdida

Machu Picchu është një nga mrekullitë më të mëdha të botës antike – dhe një nga më të mbipopulluarat.
Zgjidhja? Ciudad Perdida në Kolumbi, një qytet i lashtë që kërkon një marshim për disa ditë në xhungël për ta arritur.
“E ndërtuar rreth vitit 800 pas Krishtit – mbi 600 vjet përpara Machu Picchut – Ciudad Perdida është një nga vendet më të paprekura arkeologjike të botës.”