FLASH :

Aleksandar Vuçiç shtrihet në spital pas sëmundjes në SHBA, ndërpret vizitën dhe kthehet në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shtruar në Spitalin Ushtarak të Beogradit më 3 maj, pasi u ndje keq gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediat serbe raportojnë se pas kontrolleve mjekësore në SHBA, Vuçiç vendosi të ndërpriste udhëtimin dhe të kthehej në atdhe.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, presidenti serb u takua me ish-kryetarin e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, dhe kishte planifikuar të takohej me disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane. Megjithatë, për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore, këto takime u anuluan.

Lidhur me situatën, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Richard Grenell, i ka uruar Vuçiçit shërim të shpejtë përmes një postimi në platformën X, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen që nuk mundi ta takonte.

Sipas agjencisë Tanjug, Vuçiç u sëmur teksa po përgatitej për takime me kongresistë amerikanë. Zyra e Presidentit serb nuk ka komentuar zyrtarisht, por transmetuesi publik RTS njofton se detaje të mëtejshme mbi shëndetin e tij do të bëhen publike në ditët në vijim.

Vizita e Vuçiçit në SHBA ndodhi pak ditë përpara se ai të udhëtojë drejt Moskës, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores më 9 maj – një vizitë që është kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian, për shkak të raporteve të afërta të Beogradit me Moskën.

Pavarësisht ambicieve për anëtarësim në BE, Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, gjë që ka ngritur shqetësime të përsëritura në Bruksel.