Nga Maksi Çami
Adriatik Lapaj nuk është një figurë e zakonshme në peizazhin politik shqiptar, por nuk është as një fenomen i jashtëzakonshëm. Me një karrierë në jurisprudencë dhe me disa ndërhyrje publike në kauza të caktuara, ai ka fituar njëfarë respekti si zë kritik dhe përfaqësues i një segmenti të qytetarisë racionale e të lodhur nga partitë e vjetra. Ndonëse ende pa një histori konkrete politike apo program të detajuar, Lapaj ka arritur të ndërtojë një profil të moderuar që premton risi në një sistem të atrofizuar.
Por pikërisht kjo përpjekje për të krijuar një identitet të vetin e bën të pakuptueshme aleancën që ai zgjodhi të bëjë me Nismën Thurje dhe liderin e saj, Endrit Shabani.
Nisma Thurje, që në lindje u shfaq si një përpjekje për të kanalizuar zhgënjimin qytetar në një formë politike, kurrë nuk u shndërrua në një forcë reale. Për katër vitet e fundit ajo nuk arriti të krijojë strukturë, të ketë bazë elektorale, apo të zhvillojë një projekt të qartë ideologjik. Për publikun, ajo ka qenë një entitet thuajse OJF me një prani më shumë online se reale, më shumë denoncuese, zhurmuese, se problem-zgjidhëse.
Sa për vetë Endrit Shabanin, ai ka zgjedhur rolin e “denoncuesit të përhershëm”: i zëshëm në debate, kontravers në qëndrime, shpesh i paqartë në pozicionimet ideologjike. Ai ka qenë më shumë një komentator i politikës se sa një ndërtues alternative. Pothuajse çdo dalje e tij përmban një përçmim për sistemin, por pak (ose aspak) propozime konkrete për ta ndryshuar atë. Në këtë kuptim, figura e tij vështirë se frymëzon shpresë ose vizion të ri.
Në këtë sfond, aleanca me Lapajn duket si një lëvizje e motivuar më shumë nga nevoja se nga përputhja. Lapaj kërkon shtrirje elektorale, Shabani kërkon mbijetesë politike. Njëra palë ka rritje në terren, tjetra ka vetëm një mikrofon që po venitet. Nisma Thurje, realisht, është një parti e përfaqësuar vetëm nga një individ i cili e pati nisur politikën me Aleancen Kuqezi të Kreshnik Spahiut, dhe që nuk ka arritur të dalë nga arrivizmi personal.
Dhe ky është thelbi i shqetësimit: a mund të lindë nga një aleancë e tillë një model i ri politik? Apo do të jetë thjesht një përzierje zërash që s’përputhen? Një përpjekje për të bashkuar dy rrugë që nuk të çojnë në të njëjtin drejtim?
Lapaj, ndonëse me përvojë të kufizuar politike, ka treguar se di të artikulojë një diskurs më serioz dhe më institucional. Por me këtë bashkëpunim, rrezikon të humbasë atë që e dallonte: pavarësinë e qëndrimeve dhe profilin e një force të re që nuk bën kompromis për karrige. Në fund të ditës, votuesit nuk do të shohin vetëm sukseset e “Shqipëria Bëhet” por edhe kusuret e Endrit Shabanit. Dhe nëse ky bashkim nuk arrin të krijojë as vizion, as sinergji, do të perceptohet si ajo që shumëkush druhet: një manovër taktike pa thelb politik.







