E ftuar në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio, Albina Kelmendi sqaroi publikisht reagimin e saj të shumëpërfolur ndaj një videoje të Eglit, ku kjo e fundit performonte këngën “Mora fjalë” në një klub nate.
Nëse s’e dini, Albina reagoi ndaj një videoje të performancës së Eglit, shoqëruar me një mbishkrim të fortë nga personi që kishte shpërndarë videon, ku thuhej se kënga po “bastardohej nga dikush që po e performonte me mbathje”. Komenti i Albina Kelmendit mbi video ishte “uroj të jetë veç montazh”.

Pas debatit të ndezur në rrjet, Albina reagoi me një sqarim të detajuar në Instagram, ku shkroi:
“Më vjen keq për ata që e kanë keqkuptuar reagimin tim.
Në vend që të më dëgjoni çfarë po them, vazhdoni e merreni me veshjen e paragjykimin!
Ngrijani zërin videos edhe e kuptoni çfarë kam dashur të them.
Faqja ku e kam parë këtë video ka qenë kritikuese ndaj veshjes dhe unë veç kam reaguar ndaj asaj çfarë kam dëgjuar, prandaj kam shkruar ‘uroj të jetë veç montazh’.
Dhe po, nëse doni mendimin tim edhe për këtë temë, e them shumë qartë se ajo veshje nuk i përshtatet aspak karakterit të këngëve që po interpretohen!”
Në lidhjen telefonike me Top Albania Radio, Albina sqaroi më tej qëndrimin e saj:
“E them me shumë respekt që nuk i ka hije një artisti që të sillet në këtë mënyrë. Nuk e kam zgjedhur që kjo rastësi të ndodhë me Egli Takon. Më vjen shumë keq, ja që ndodhi. Nuk po flas për të si person, por flas për veprimin që ndodhi publikisht.”

Duke e vënë theksin te vetë performanca dhe simbolika e këngës “Mora fjalë”, Albina shtoi:
“Të dëgjosh këngën ‘Mora fjalë’ me zërin e Shkurte Fejzës dhe një këngëtar që del në skenë dhe lëviz vetëm buzët, bën sikur po këndon, është turp, sidomos kur bëhet fjalë për një këngë për një hero të Kosovës. Vëmendja shkon te ‘playback’-u dhe paraqitja e ekzagjeruar.”
Reagimi i saj, sipas Albinës, nuk ishte për famë apo për të krijuar debat, por për të mbrojtur një vlerë:
“Rrjetet e mia sociale ishin stërmbushur. Nëse mendoni se kërkoj famë përmes kësaj dhe iu prek idhulli disa fansave, besoj se unë e kam dëshmuar që nuk jam pjesë e këtyre diskutimeve boshe. Nuk më interesojnë dramat, por kur e kalon çdo kufi dhe kur shkelet një këngë me aq peshë, sigurisht që nuk mundem të hesht. Duhet t’i respektojmë edhe ata artistë që kanë kënduar në kohë lufte, me shpirt, me lot e me rrezik mbi kokë. Për mua kjo pjesë nuk është normale.”
Për ta mbyllur, ajo dha një mesazh për përdorimin e playback-ut në këngë me ndjeshmëri kombëtare:
“Playback-u në përgjithësi nuk është normal. Ka artistë që e kanë zgjedhur dhe publiku i do. Nuk është normale që një këngë për një hero të Kosovës të shndërrohet në shfaqje për të marrë disa klikime dhe për të plotësuar minutazhin e koncertit.”