FLASH :

Alarmi, vajzat shqiptare në shënjestër të predatorëve online

Në fillim ishin komentet fyese. Më pas erdhën mesazhet private me përmbajtje abuzive. Deri në ditën kur një vajzë 16-vjeçare nga Tirana, pa emër në raport, raportoi se dikush i kishte marrë fotot personale dhe i kishte përdorur për shantazh në rrjet. Kjo nuk është një histori e rrallë është realiteti i përditshëm i qindra të rinjve shqiptarë, sidomos vajzave, në hapësirën gjithnjë e më të pakontrollueshme të internetit.

Sipas të dhënave më të fundit nga platforma iSIGURT.al, gjatë vitit 2024 janë raportuar 407 incidente të dhunës dhe ngacmimeve online, një rritje prej 67 % krahasuar me vitin e kaluar. Pas çdo shifre fshihet një histori shpeshherë e dhimbshme, që ndodh në heshtje, brenda katër mureve të dhomës, ndërsa telefoni transformohet në rrezik në duart e një adoleshenti të pambrojtur.

Kryeqyteti dominon me 48 % të rasteve të raportuara, ndërsa qytete si Durrësi, Fieri dhe Vlora ndjekin me një numër gjithashtu shqetësues. Kjo nuk është rastësi. Sa më i lartë niveli i lidhjes me internetin dhe ekspozimi ndaj rrjeteve sociale, aq më i madh duket të jetë rreziku dhe Shqipëria e re urbane, me të rinjtë gjithnjë e më të lidhur pas pajisjeve smart, po bëhet terren për incidente të tilla.

Por shqetësimi më i madh qëndron te profili i viktimave. 62 % e raportimeve vijnë nga vajza dhe gra, shumica adoleshente. Në grupmoshën 15–18 vjeç, prindërit shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë ndodh në botën virtuale ku fëmijët e tyre janë zhytur një botë ku dhuna nuk ka nevojë për grushta, por vetëm për një klikim.
TikTok rezulton të jetë platforma më e përmendur për raste abuzimi, me 209 incidente më shumë se gjysma e totalit. E ndjekin Facebook dhe Instagram. Ironikisht, është pikërisht TikTok që ka reaguar më shpejt për të bllokuar llogaritë abuzuese, ndërsa platforma më të vjetra si Facebook duket se mbeten prapa në mekanizmat e ndërhyrjes.

Ekspertët që merren me sigurinë digjitale janë të qartë: nevoja për edukim kibernetik nuk është më luksi i një brezi teknologjik. Është një emergjencë kombëtare që kërkon ndërhyrje të menjëhershme në shkolla, familje dhe institucionet publike. Duhet të ngrihen module të detyrueshme të edukimit digjital në sistemin parauniversitar. Duhet të trajnohen mësuesit për të njohur sinjalet e para të dhunës digjitale. Duhet të forcohen bashkëpunimet me platformat sociale për mekanizma më të shpejtë raportimi. Dhe po, duhet të flitet më shumë për këtë në media, në familje, në politikë. Sepse për çdo statistikë që lexojmë, ka një vajzë që hesht. Ka një nënë që nuk e kupton. Dhe ka një shoqëri që nuk guxon të flasë.