Një skandal i ri është zbuluar në qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër, ku, sipas Partisë Demokratike të Italisë, 15 emigrantë rezultojnë të zhdukur në mënyrë misterioze.
Nga 41 emigrantë që ishin transferuar në këtë qendër, aktualisht kanë mbetur vetëm 25. Alarmi u ngrit nga eurodeputetja Cecilia Strada, e cila, pas një inspektimi në terren gjatë fundjavës, përshkroi situatën si një “ferr krahasuar me qendrat italiane” dhe një “shpërdorim të turpshëm”.
“Ndërsa gjithë vëmendja ishte përqendruar te vdekja e Papa Françeskut, qendra e Gjadërit në Shqipëri po boshatisej. Askush nuk do ta kishte marrë vesh nëse nuk do të kishim kryer këtë inspektim,” deklaroi Strada.
Pamja që ajo përshkruan është tronditëse: emigrantë të braktisur, kushte të rënda jetese dhe mungesë totale transparence për lëvizjet e personave. “Një përzierje dhimbjeje, dëshpërimi dhe shpërdorimi që është vërtet skandaloze dhe të bën të ndihesh i turpëruar,” theksoi ajo për median italiane La Stampa.
Sipas Partisë Demokratike, përgjegjësia bie mbi autoritetet italiane dhe shqiptare që kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e emigrantëve, pa garantuar kushtet minimale të dinjitetit dhe pa siguruar transparencën e nevojshme mbi fatin e tyre.
Ngjarja ka nxitur një valë reagimesh në Itali dhe në Bruksel, ku po kërkohet urgjentisht hetim ndërkombëtar dhe vënia para përgjegjësisë e të gjithë atyre që kanë lejuar që një situatë e tillë të ndodhë në kufijtë e Evropës.
Në një kohë kur vëmendja globale ishte e përqendruar te vdekja historike e Papa Françeskut, duket se në heshtje, një tjetër tragjedi njerëzore po zhvillohej, e padukshme për publikun, në një qoshe të Shqipërisë.