Prokuroria e Posaçme ka forcuar radhët për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pak kohë më parë, është hartuar një strategji pune për periudhën 2024-2027, ku tregohen synimet dhe objektivat që ka SPAK në forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Ishte “Pamfleti” që e zbuloi të dielën këtë strategji, teksa sot po japim të tjera detaje.
Në dokumentin e firmosur nga Altin Dumani, theksohet se korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë arritur një nivel të lartë sofistikimi dhe për këtë arsye SPAK duhet të angazhohet më fort. Aty theksohet se të dyja grupet po i fshehin paratë në “off-shore”.
“Qoftë krimi i organizuar, por dhe korrupsioni i zyrtarëve të lartë kanë një nivel të lartë sofistikimi. Pas hetimit të një morie çështjesh u vu re se grupet kriminale shqiptare kishin rritur nivelin e bashkëpunimit të tyre me organizatat ndërkombëtare kriminale dhe me vendet e origjinës së prodhimit të drogërave të forta. Nga ana tjetër, format e pastrimit të parave, të cilat tani kanë filluar të shtrihen edhe në juridiksionet off-shore, e vendosin SPAK përballë vështirësive të ndryshme, qoftë me hetimin e çështjeve, por dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese. Sfida kryesore mbetet rritja e kapaciteteve në luftën kundër pastrimit të parave, duke pasur parasysh këtu edhe futjen e Shqipërisë në listën “gri” të pastrimit të parave nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL në shkurt të vitit 2020”, thekson Dumani në dokument.
Në dokument, SPAK i ka marrë me radhë vitet, duke dhënë detaje se si është përsosur puna e prokurorëve nga viti në vit. Aty theksohet për shembull se gjatë vitit 2023, SPAK u orientua në rritjen e hetimeve shteruese të organizatave kriminale më me ndikim në tregjet kriminale shqiptare dhe hetimin e korrupsionit të ish-zyrtarëve të lartë. Përkrah këtij objektivi, një objektiv tjetër ishte rritja e eficencës së SPAK, ku do t’i kushtohej rëndësi një qasjeje të re hetimore dhe orientimit më të qartë të politikave të strukturës, nëpërmjet miratimit të një sërë aktesh nënligjore të Prokurorisë së Posaçme dhe urdhrave të përbashkët me BKH-në. Sipas SPAK, për këtë qëllim, u ngrit Sektori i Hetimit Financiar me 12 hetuesit e parë të saj, të cilët ngritën në mënyrë cilësore standardet e hetimit.
“Ngritja e cilësisë së hetimit financiar bëri që Prokuroria e Posaçme të ishte një ndër institucionet kryesore dhe të luante një rol të rëndësishëm për daljen nga lista gri MONEYVAL e Shqipërisë në tetor 2023, duke rritur numrin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve të produkteve të pastrimit të parave, si dhe duke kontribuar në të gjitha raportimet apo grupet e punës të ngritura për këtë qëllim. Prokuroria e Posaçme është përpjekur që të rrisë dhe kapacitetet infrastrukturore, duke siguruar tashmë një godinë shtesë, e cila është në fazën e mobilimit dhe organizimit të brendshëm të saj”, theksohet në dokument.
Aty janë dhënë detaje dhe mbi rreziqet dhe kërcënimet që i kanosen kësaj strukture, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim.