FLASH :

Alarm nga OBM: Një “det me flakë” përfshin Azinë dhe Paqësorin – rrezik ekzistencial për ishujt!

Pothuajse 40 milionë kilometra katrorë oqean përreth Azisë Juglindore dhe Paqësorit janë përfshirë nga një valë e të nxehtit detar gjatë vitit 2024 – një sipërfaqe pesë herë më e madhe se Australia. Lajmi tronditës vjen nga raporti më i fundit i Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), i publikuar në The Guardian, ku përshkruhet një përkeqësim i frikshëm i gjendjes klimatike në rajon.

Sipas raportit, vala ekstreme e të nxehtit në oqean përkoi me ngjarje klimatike të dhunshme si rrëshqitje vdekjeprurëse toke në Filipine, përmbytje të mëdha në Australi dhe shkrirje alarmante të akullnajave në Indonezi. Rajoni regjistroi një temperaturë mesatare 0.48°C më të lartë se periudha 1991–2020, ndërsa niveli i detit po rritet me gati 4 mm në vit – mbi mesataren globale.

Sekretarja e përgjithshme e OBM-së, Prof. Celeste Saulo, paralajmëroi për “dëme afatgjata” në ekosistemet detare, duke shtuar se rritja e nivelit të detit është një kërcënim ekzistencial për shtetet ishullore. Drejtori rajonal i OBM-së, Ben Churchill, tha se “po shohim gjëra që nuk i kemi parë kurrë më parë”, duke e cilësuar situatën si një thirrje urgjente për veprime të menjëhershme kundër ndryshimeve klimatike.