Sipas burimeve të larta të sigurisë, Britania e Madhe po përgatitet fshehurazi për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak nga Rusia, ndërsa zyrtarë të lartë paralajmërojnë se vendi është i papërgatitur për një konflikt modern në territorin e tij.
Sipas The Telegraph, Zyra e Kabinetit po shqyrton përditësimin e planit kombëtar të mbrojtjes së territorit një dokument i hartuar mbi 20 vite më parë që përcakton reagimin e shtetit në rast shpalljeje lufte.
Kjo lëvizje vjen mes kërcënimeve gjithnjë e më të hapura nga Moska dhe shqetësimeve në rritje në Whitehall për mungesën e gatishmërisë civile dhe ushtarake të vendit. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se Britania do të ishte e “tejkaluar me armë” në një konflikt të plotë kundër Rusisë dhe aleatëve të saj.
Ish-kancelari Philip Hammond ka deklaruar se vendi është “jashtëzakonisht i dobët” dhe se qeveria duhet të përgatisë edhe popullsinë civile për një skenar konflikti, pasi shumica janë tërësisht të papërgatitur.
Në shënjestër: infrastrukturat kritike dhe përgjigjja qeveritare
Ekspertët paralajmërojnë se, përveç fushëbetejës, Britania është e cenueshme nga sulme ndaj infrastrukturave kritike, si terminalet e gazit, kabllot nëndetare, termocentralet bërthamore dhe nyjet e transportit.
Strategjia e re pritet të përfshijë përgjigjen e shtetit në rast sulmi të përmasave të mëdha nga një fuqi armike: që nga goditje me raketa dhe sulme kibernetike masive, deri te përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore. Ajo do të përmbajë gjithashtu plane për evakuimin e Familjes Mbretërore, mbrojtjen e ministrave dhe koordinimin e shërbimeve të emergjencës në rast krize kombëtare sigurie.
Një burim qeveritar i tha The Telegraph se do të përditësohet edhe War Book dokumenti i klasifikuar për menaxhimin e qeverisë në kohë lufte për të reflektuar “realitetet e reja të luftës”, si sulmet kibernetike, sabotazhet satelitore dhe raketat hipersonike që mund të anashkalojnë mbrojtjen aktuale.
Drejtoria e Qëndrueshmërisë në Zyrën e Kabinetit do të udhëzojë kryeministrin dhe kabinetin se si të funksionojë një qeveri lufte dhe në çfarë rrethanash duhet të strehohen në bunkerë në Downing Street apo jashtë Londrës.
Gjithashtu, do të rishikohen strategjitë e luftës për rrjetet hekurudhore dhe rrugore, gjykatat, postat dhe linjat telefonike.
Një raport i rrezikut i publikuar në janar paralajmëronte se një sulm i suksesshëm “ka të ngjarë të shkaktojë viktima mes civilëve dhe personelit të emergjencës”, si dhe dëme të mëdha ekonomike dhe ndërprerje të shërbimeve jetike.
Simulimet ushtarake: Britania nuk mund të ndalë të gjitha goditjet
Një simulim i vitit 2022, i realizuar nga programi £36 milionësh Gladiator i RAF, tregoi se Britania nuk mund të ndalë të gjitha llojet e sulmeve. Në simulim, “dita e parë” e konfliktit përfshinte qindra raketa dhe municione të ndryshme që vinin nga disa drejtime.
Ish-komodori i ajrit Blythe Crawford, që drejtonte atëherë Qendrën e Luftës Ajrore dhe Hapësinore të RAF, pranoi: “Rezultati nuk ishte aspak i mirë. Ky ushtrim na tregoi qartë se duhet të veprojmë më me vendosmëri.”
Propaganda ruse: “Gjaku britanik duhet të derdhet”
Ndërkohë, zyrtarët rusë kanë kërcënuar në mënyrë të përsëritur Britaninë për mbështetjen ndaj Ukrainës. Më së fundi, propagandistët e Kremlinit akuzuan Britaninë për furnizimin me eksploziv që vrau gjeneralin e lartë rus, Yaroslav Moskalik, në një atentat me makinë-bombë në periferi të Moskës.
Gjenerali ishte zv.drejtues i Departamentit Operacional të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse. Fillimisht, Moska fajësoi Kievin për vrasjen, por propagandistët rusë tani e kanë zhvendosur fajin tek Londra.
Eksperti ushtarak rus Andrei Klintsevich deklaroi në televizionin Russia 1 se “shërbimet britanike të sigurisë i kanë dhënë shpërthyesit me tonelata.”
Ndërsa Vladimir Solovyov shtoi: “Kur themi se shërbimet britanike janë pas çdo sulmi terrorist, atëherë gjaku i britanikëve që kanë urdhëruar këto vrasje duhet të derdhet. Duhet të kuptojnë se do të paguajnë personalisht sy për sy, dhëmb për dhëmb.”


