FLASH :

Alarm nga Gjermania: Rusia po planifikon sulm ndaj territorit të NATO-s për të testuar nenin 5

Shefi në largim i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), Bruno Kahl, ka ngritur alarmin për një kërcënim të afërt nga Rusia ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Në një intervistë të rrallë për podcastin gjerman Table Briefings, Kahl deklaroi se shërbimet perëndimore disponojnë prova konkrete që tregojnë se Moska nuk e beson më se neni 5 i NATO-s – i cili garanton mbrojtje kolektive – do të respektohet. “Ka njerëz në Moskë që mendojnë se artikulli 5 nuk funksionon më,” tha ai, duke shtuar se Rusia po përgatit një provokim të qëllimshëm për të testuar gatishmërinë e aleancës.

Sipas tij, qëllimi përfundimtar i Rusisë është të shtyjë NATO-n drejt kufijve të saj të viteve ’90, të largojë SHBA-në nga Evropa dhe të zgjerojë ndikimin e saj gjeopolitik. Edhe pse nuk pritet një pushtim masiv me tanke, Kahl paralajmëroi se Kremlini mund të ndjekë skenarin e “ushtarëve pa uniformë” – të ngjashëm me aneksimin e Krimesë në 2014 – duke dërguar “njerëz të gjelbër” në Estoni ose vende të tjera për të “mbrojtur” pakicat ruse.

Paralajmërimi i Kahl vjen në një moment tensioni të lartë mes NATO-s dhe Rusisë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shtoi presionin për rritjen e buxhetit të mbrojtjes. Në një deklaratë dramatike nga Londra, Rutte tha se nëse vendet anëtare nuk rrisin shpenzimet e tyre ushtarake në 5% të PBB-së, “më mirë të fillojnë të mësojnë rusisht”. Sipas planit të tij, 3.5% e PBB-së duhet të shkojë për mbrojtjen bazë, ndërsa 1.5% për shpenzime mbrojtëse shtesë. Kjo thirrje u bë pak javë para samitit të radhës të NATO-s, ku pritet të merret një vendim për financimin e qëndrueshëm të mbrojtjes kolektive përballë kërcënimit rus.