Autoritetet në Kroaci nisën sot, të hënën, eutanazinë e gati 12,000 derrave pas zbulimit të virusit shumë ngjitës dhe vdekjeprurës të murtajës afrikane të derrave (ASF) në një fermë të madhe në pjesën lindore të vendit.
Ky virus, i cili është i padëmshëm për njerëzit, shkakton një sëmundje virale hemorragjike me një shkallë vdekshmërie që afrohet në 100% tek derrat dhe derrat e egër.
Përhapja e kësaj sëmundjeje mund të ndalojë eksportin e mishit të derrit, dhe zbulimi i saj detyron eutanazinë e menjëhershme parandaluese.
Ende nuk ekziston asnjë vaksinë e miratuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas televizionit shtetëror kroat, rreth 10,000 derra do të asgjësohen në fermën e Sokolova në lindje të Kroacisë, ndërsa rreth 1,600 të tjerë në një fermë tjetër në të njëjtën zonë, e njohur për shumë ferma derrash.
Mënyra se si u përhap virusi në këtë fermë moderne nuk është ende e qartë, por sipas ministrit, është shkaktuar “99% nga faktorë njerëzorë”.
Autoritetet kanë vendosur mbikëqyrje në 54 ferma me mbi 1,000 kafshë dhe kanë shtuar kontrollin në kufij, tha ministri.