FLASH :

Alarm në fermat shqiptare: Konfirmohet rasti i parë i murtajës së rrezikshme që godet dhitë dhe delet!

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka konfirmuar zyrtarisht rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Shqipëri. Sipas njoftimit, virusi është zbuluar në një fermë të mbarështimit të dhive në njësinë administrative Postribë, në qarkun Shkodër, duke ngritur alarmin për një sëmundje me përhapje të shpejtë dhe pasoja të mëdha ekonomike.

Mostrat janë marrë në terren nga Shërbimi Veterinar dhe janë analizuar në laboratorin referencë të ISUV-it, ku u konfirmua prania e virusit. Menjëherë pas konfirmimit, autoritetet kanë nisur zbatimin e masave të parashikuara në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, për të kufizuar përhapjen e sëmundjes.

Thirrje urgjente për fermerët:
Autoriteti u bën apel të gjithë fermerëve që mbarështojnë dele dhe dhi të zbatojnë masat parandaluese, të kufizojnë lëvizjen e kafshëve dhe të raportojnë çdo simptomë të dyshimtë si: temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion i syve, mungesë oreksi, diarre apo ngordhje të papritur. Për çdo rast të dyshuar, qytetarët mund të kontaktojnë falas në numrin: 0800 3366.

Çfarë është PPR?
PPR është një sëmundje virale akute, që prek delet, dhitë dhe disa kafshë të egra. Ka shkallë sëmundshmërie deri në 100% dhe vdekshmëri deri në 80%. Nuk transmetohet te njerëzit, por dëmton rëndë prodhimin e mishit dhe qumështit, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike për sektorin blegtoral.