FLASH :

Durrësi ne terror, pas vrasjes dhe tritol “Velierës”, pranë banesës të Vangjush Dako

Një sasi e vogël lënde plasëse është zbuluar mbrëmjen e së hënës në zonën e njohur të “Velierës” në qytetin bregdetar të Durrësit, vetëm pak metra larg banesës së ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Sipas burimeve zyrtare, kalimtarë të rastësishëm kanë vërejtur një objekt të dyshimtë pranë shkallëve të Velierës dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit. Lënda, e lënë në rrugë nga persona ende të paidentifikuar, u gjet rreth 50 metra nga banesa e Dakos, i cili është përfshirë më herët në hetime për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat rrethuan zonën dhe ngritën një perimetër sigurie për të shmangur rrezikun për qytetarët. Një ekip antieksploziv ka marrë nën kontroll lëndën dhe po kryen verifikimet teknike.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një tentativë për mesazh apo akt intimidues. Nuk përjashtohet as ndonjë lidhje me figurën e ish-kryebashkiakut, por hetimet janë në fazë të hershme.