Australia, vendi me normën më të lartë të kancerit të lëkurës në botë, është përfshirë nga një skandal i madh rreth kremrave kundër diellit, pas zbulimeve se disa nga produktet më të njohura nuk ofrojnë mbrojtjen e premtuar.
Historia e 34-vjeçares Rach, e cila aplikonte çdo ditë krem mbrojtës dhe megjithatë u diagnostikua me kancer të lëkurës në hundë, ka tronditur opinionin publik. Pas diagnozës, ajo zbuloi se produkti që përdorte prej vitesh kishte rezultuar me efikasitet minimal, duke shkaktuar një valë zemërimi dhe mosbesimi tek qytetarët.
Një raport i publikuar në qershor nga organizata e konsumatorëve Choice Australia testoi 20 kremra në një laborator të pavarur dhe gjeti se 16 prej tyre nuk përmbushnin nivelin e mbrojtjes SPF të deklaruar. Mes tyre ishte edhe Ultra Violette Lean Screen SPF 50+, produkti i përdorur nga Rach, i cili tregoi rezultat shokues, vetëm SPF 4.
Në listë u përfshinë edhe marka të njohura si Neutrogena, Banana Boat, Bondi Sands dhe madje edhe produktet e Cancer Council, por kompanitë mohuan rezultatet e Choice, duke insistuar se testimet e tyre tregojnë efikasitet të plotë.
Megjithatë, presioni publik detyroi autoritetin rregullator Therapeutic Goods Administration (TGA) të hapte një hetim të gjerë, ndërsa disa marka nisën të tërhiqnin produktet nga tregu. Ultra Violette fillimisht mbrojti produktin e saj, por më pas shpalli tërheqjen e tij, duke kërkuar ndjesë publike.
Ekspertët theksojnë se skandali nuk është i izoluar vetëm në Australi. Shumë kremra prodhohen në të njëjtat fabrika dhe testohen në laboratorë të përbashkët, çka nxit dyshime për një problem më global. “Shumë rregullime varen nga sa mirë zbatohen. Edhe laboratorë ndërkombëtarë janë kapur duke manipuluar rezultatet e testimeve”, tha për BBC Michelle Wong, kimiste kozmetike.
Australia, që ka zbatuar me vite fushata të fuqishme si “Slip, Slop, Slap” për të mbrojtur qytetarët nga dielli, përballet me një realitet alarmant: dy nga tre australianë do të zhvillojnë kancer të lëkurës gjatë jetës. Për këtë arsye, skandali i kremrave është pritur me indinjatë të madhe.
Ekspertët këshillojnë përdorimin korrekt të kremit mbrojtës , një lugë çaji për çdo pjesë të trupit, riaplikim çdo dy orë, veçanërisht pas djersitjes apo larjes, si dhe kombinimin me masa të tjera mbrojtëse si veshjet, kapelat dhe qëndrimi në hije.
“Ky skandal është një kujtesë se kremrat, edhe kur funksionojnë, nuk janë mjaftueshëm të vetmuar për të na mbrojtur nga dielli. Është një kulturë e tërë e sigurisë që duhet ndjekur”, theksojnë mjekët.