Autoritetet në Alaska kanë bërë thirrje urgjente për evakuim në kryeqytetin Juneau, pasi një përmbytje glaciare nga Baseni Suicide, i mbajtur nga akullnaja Mendenhall, po dërgon miliona litra ujë drejt zonave të banuara. Shkrirja e përshpejtuar e akullnajës, e shkaktuar kryesisht nga ndryshimet klimatike, pritet të shkaktojë një rritje rekord të nivelit të ujit, duke arritur deri në 16.75 këmbë.
Më të rrezikuara janë zonat e ulëta të Luginës Mendenhall, ku jeton pjesa më e madhe e 32 mijë banorëve të Juneau. Dy milje barriera të përkohshme janë vendosur muajin e kaluar për të mbrojtur disa qindra shtëpi, por autoritetet paralajmërojnë se prurjet e mëdha mund t’i tejkalojnë ato. Rrugë dhe ura janë mbyllur, ndërsa FAA ka shpallur ndalim fluturimi mbi lumin Mendenhall deri më 19 gusht. Përmbytje të tilla, të njohura si GLOF (glacial lake outburst flood), janë shënuar çdo vit që nga 2011 dhe kanë shkatërruar dhjetëra shtëpi, me rrezikun që fenomeni të përkeqësohet ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten.
