FLASH :

Akuzohet si e përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit, Burg pa afat për të dashurën e Safet Bajrit

Eria Ago kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj saj. Por togat e zeza të Apelit të Gjykatës së Posaçme e rrëzuan kërkesën e saj, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Lidhur me vrasjen e Fatbardh Licit, u arrestua më 21 Shkurt Safet Bajri. Ndërsa 5 ditë pas tij u prangos edhe Eria Ago, e cila dyshohet se drejtoi një prej makinave të përdorura në atentatin e bujshëm. Sipas dosjes hetimore të SPAK, dyshohet se pas vrasjes së Fatbardh Licit, Eria Ago ka marrë me makinë dhe ka sjellë në Tiranë, Astmer Bilalin, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.

“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja E.A. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet (Bajri) Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga Eria Ago”, thuhet në dosjen hetimore.

Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali, dyshohet se kanë zbritur nga makinat e tyre dhe kanë përdorur një automjet të vjedhur me të cilin janë afruar tek një lokal në lagjen Kiras kur në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen Fatbardh Lici, xhaxhai i rivalit të tyre Ibrahim Lici. Afruan makinën dhe e qëlluan 53-vjecari teksa ndodhej i ulur jashtë lokalit. Pas krimit, dogjën makinën në Dobraç.

SPAK akuzon treshen e grupit Bajri se në bashkëpunim kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.

Për të kryer vrasjen e Fatbardh Licit, Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali, në shoqërinë e të dashurës së Safetit, Eria Aga, udhëtuan që në orët e parë të mëngjesit të 10 gushtit 2018 nga Tirana për në Shkodër.

Njëri prej mjeteve “Mercedes Benz CL”, i bardhë dhe me targë “AA989TE” është drejtuar nga Eria, e cila sipas SPAK, konfirmohet përmes komunikimeve që ajo ka pasur me Astmer Bilalin.

Me këtë makinë, Eria Aga ka udhëtuar nga Tiranë në drejtim të Shkodrës bashkë me Astmer Bilalin, te makina e së cilës Astmeri ka harruar xhupin, që dyshohet se është qitësi në vrasjen e Fatbadh Licit.