Akuzohen se rrëmbyen e mbytën me litar Renis Dobrën, dalin sot para gjykatës Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka

Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, të akuzuar për vrasjen e Renis Dobrës, krim i kryer mbrëmjen e 8 Korrikut në Madhesh të Ulzës.

Seanca gjyqësore është planifkuar të zhvillohet në orën 09:00 në Gjykatën e Dibrës.

Ndërkohë janë ende në kërkim dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, që dyshohet se janë larguar nga Shqipëria.

Vrasja e 23-vjeçarit u zbardh më 16 Korrik, ku u vendosën në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve, por janë kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i kanë tradhtuar.

Nga kqyrja e pamjeve filmike, ka rezultuar se 55-vjeçari, si edhe tre vëllezërit, Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj (dy të fundit në kërkim policor) kanë pirë kafe së bashku pranë një pike karburanti pak orë para krimit.

Më pas, 4 autorët e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit, kanë udhëtuar me dy automjete, “Range Rover”-in e zi dhe një “Hundyai Santa Fe”, nga Burreli drejt fshatit Zenisht.

Janë pamjet filmike, si dhe prova të tjera që faktojnë se Petrit Çakrri ka pasur njohje të mëparshme me 3 vëllezërit Bushgjokaj, por dëshmitë e tyre dhënë në hetuesi bien në kontradiktë me njëra-tjerën.

Fatjon Bushgjokaj ka mohuar njohjen me Petrit Çakrrin, por nga ana tjetër ka pranuar se ka lëvizur në disa fshatra të Klosit dhe Burrelit, me pretendimin se do të kryente vjedhje në disa banesa.

Dëshmi kjo që bie ndesh me atë të Petrit Çakrrit, i cili ka pohuar se njihej me një nga vëllezërit Bushgjokaj, pasi kanë qenë në burg së bashku. 55-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra.

OPERACIONI I POLICISË

Referuar të dhënave zyrtare të policisë mësohet se tre vëllezërit Bushgjoka, që rezultojnë të jenë të njohur për Policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëritjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra. Bëhet fjalë për Fationin, 31 vjeç, Kristin 29 vjeç dhe Aleksandrin 24 vjeç, ku në bashkëpunim me ta ka dalë edhe Petrit Çakrri, 55 vjeç, i njohur që në kohën e atentatit kur iu mor jeta Azem Hajdarit.

Policia bëri me dije se, “nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar). Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23- vjeçarit bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit “C”, pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.

Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kanë përdorur asnjë logo apo automjet të policisë. 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka pasur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve. Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale”.

Kush është Petrit Çakrri

Emisioni Shënjestër ka zbuluar se pas dëshmisë së dhënë nga familjarët e 23-vjeçarit dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit kombëtar Burrel-Tiranë, grupi hetimor bëri të mundur edhe identifikimin e autorëve të dyshuar për krimin makabër.

Njëri prej tyre është Petrit Çakrri, një prej dëshmitarëve okularë i vrasjes së ish deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

Petrit  Çakrri dyshohet se pas daljes nga burgu disa muaj më parë, ka ndryshuar mbiemrin, duke e vendosur Petrit Hoxha.

Hetimet kanë zbuluar se Çakrri ka marrë me qira në Rinas, dy automjete, një Range Rover të zi dhe një Honday të bardhë.

Petrit Çakrri, i cili pasi dha dëshminë për atë që njihet si procesi i Shekullit, rezulton të ketë patur procedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me policinë.

Teksa në vitin 2017 u arrestua nën dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda. Ku në aktakuzë thuhej se ai kishte mashtruar një biznesmen nga Vora, të cilit i kishte marrë një shumë prej 4.4 mln lekësh të reja duke iu prezantuar si tregtar, të cilit i kishte premtuar se do t’i siguronte mallra me çmime më të lira sesa tregu.

Çakrri, që u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim, nga ku hetuesit përmes pamjeve filmike kanë mundur të zbulojnë pikën e dhënies së automjeteve me qira ku del se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira.

Por, zbulimi i GPS së makinës, i ka mundësuar grupit të hetimit, se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.

Policia ka ndaluar nipin e tij dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e Renis Dobrës.