FLASH :

Akuzat tronditëse: Një padi e re lidh Beyoncë, Jay-Z dhe LeBron James me festat e errëta të Diddy-t

Një padi e re ka ngritur akuza të rënda ndaj reperit të njohur Sean “Diddy” Combs, duke e akuzuar për trafikim njerëzor dhe abuzime seksuale që datojnë që nga viti 2015. Kjo çështje civile, e depozituar në një gjykatë të Floridës, përfshin edhe emrat e personaliteteve të njohura si Jay-Z, Beyoncé dhe LeBron James, të cilët sipas akuzave, ishin të pranishëm në një nga festat e organizuara nga Diddy.

Sipas padisë së ngritur nga Joseph Manzaro, ai u drogua dhe u dërgua me forcë në një nga këto festa të quajtura “Freak-Off”, ku përjetoi një trajtim çnjerëzor dhe dhunë seksuale. Ai pretendon se humbi ndjenjat pas ekspozimit ndaj një substance të dyshimtë dhe më pas u transportua në një ndërtesë tjetër, ku u bë pre e abuzimeve. Në pretendimet e tij, Manzaro përmend se u çua nëpër dhoma të ndryshme të mbushura me njerëz të famshëm që qeshnin dhe e tallnin.

Në dokumentet e gjykatës përmendet edhe një episod ku Beyoncé, e shokuar nga skena që kishte përpara, pyeti të tjerët se çfarë po ndodhte dhe pse një burrë i zhveshur me maskë qëndronte përpara saj. Nga ana tjetër, LeBron James citohet të ketë thënë “Duhet të bëni diçka për këtë!”.

Menjëherë pas publikimit të padisë, të gjithë të përmendurit kanë mohuar me forcë përfshirjen e tyre. Avokatët e Jay-Z kanë deklaruar se ai nuk ndodhej fare në Florida në atë kohë dhe se ekzistojnë dëshmi publike për këtë. LeBron James, përmes përfaqësuesve të tij, ka thënë se ai ishte i angazhuar me Cleveland Cavaliers dhe asnjëherë nuk ka qenë në Miami gjatë periudhës së supozuar. Po ashtu, përfaqësuesit e Gloria dhe Emilio Estefan kanë mohuar që në shtëpinë e tyre të jenë organizuar festa të tilla, duke theksuar se asnjë ngjarje e kësaj natyre nuk ka ndodhur mes viteve 2012-2019.

Diddy, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Brooklyn duke pritur gjyqin e tij për trafikim seksual dhe akuza të tjera, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet, duke i cilësuar si përpjekje për të marrë vëmendje mediatike dhe për të përfituar financiarisht nga emri i tij. Sipas ekipit të tij ligjor, këto akuza janë të pabazuara dhe ai është i bindur se do të triumfojë në gjykatë.

Kjo padi e re ka shtuar më tej tronditjen në industrinë e muzikës dhe argëtimit, ndërsa publiku pret zhvillime të mëtejshme lidhur me këtë çështje.