FLASH :

Aktivistja ironizon Ramën, gjëmon pulën për ti kërkuar faturën e vezës

Në një reagim të pazakontë dhe mjaft ironik ndaj kërkesës së kryeministrit Edi Rama për të marrë faturë për çdo produkt qoftë edhe për djathë me rigon aktivistja Rezarta Çaushaj ka publikuar një video ku shihet duke ndjekur një pulë në rrugë, teksa i kërkon me ngulm faturën për vezën.

Me një dozë të fortë satire, Çaushaj gjëmon pulën “këmbë për këmbë”, duke e thirrur që të ndalojë dhe t’i tregojë faturën për prodhimin e saj. Videoja, e postuar në rrjetet sociale, është bërë virale brenda pak orësh dhe ka ngjallur reagime të shumta, si nga qytetarët e thjeshtë ashtu edhe nga figurat publike.

Ky veprim ironik vjen si përgjigje ndaj deklaratave të kryeministrit Rama, i cili në ditët e fundit ka kërkuar nga qytetarët të marrin faturë tatimore edhe për blerjet më të vogla, në kuadër të aksionit për formalizimin e ekonomisë dhe luftën kundër evazionit fiskal.

“Po mirë, po pula ku e lëshoi faturën?”, shkruan një komentues në video, duke e kthyer në një simbol të absurditetit të situatës. Ndërkohë, shumë qytetarë kanë shprehur zhgënjimin e tyre për mënyrën si po shtrihet aksioni i qeverisë edhe në tregjet e vogla, ndërkohë që problematikat e mëdha të evazionit fiskal mbeten të paprekura.

Satira e Çaushaj synon të nxjerrë në pah pikërisht këtë paradoks: ndërkohë që fatura po kërkohet edhe për rigonin, “pulat prodhojnë pa TVSH”.