TiranaAL
32
few clouds
KLIKOJE OSE SKANOJE

Aksion Antikorrupsion në Kosovë: Arrestohet nëna e reperit Ghetto Geasy, zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës

Një operacion i zhvilluar këtë të mërkurë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, mes tyre edhe Florije Kelmendi Selimi, e njohur për publikun si nëna e reperit të njohur Ghetto Geasy.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është kryer me autorizim të Prokurorisë kompetente dhe ka pasur në fokus hetimet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Të arrestuarat, përfshirë Kelmendi Selimin dhe dy zyrtare të tjera të ministrisë, dyshohen për përfshirje në shkelje ligjore gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në institucionin publik.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmoi lajmin dhe theksoi se hetimet janë ende në vijim: “Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”.

Ky aksion është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të luftuar korrupsionin në administratën publike në Kosovë. Ndërkohë, arrestimi i nënës së reperit të njohur ka tërhequr edhe vëmendjen e opinionit publik për shkak të profilit të lartë të familjarëve të saj. Deri në publikimin e provave konkrete nga organet e drejtësisë, të dyshuarat konsiderohen të pafajshme.