FLASH :

Aksidenti tragjik në Vlorë – pas 19-vjeçarit, ndërron jetë edhe i mituri 16-vjeçar

Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur këtë të shtunë në rrugën “Demokracia” në qytetin e Vlorës.

Policia njofton se si pasojë e përplasjes fatale, ka ndërruar jetë në vendngjarje drejtuesi i motomjetit, shtetasi L. Ll., 19 vjeç. Fatkeqësisht, edhe pasagjeri, një 16-vjeçar me inicialet T. M., ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Mësohet se të dy ishin nxënës të një prej shkollave profesionale në qytet. Viktima punonte në një servis, ku kishin shkuar përpara aksidentit për të marrë rrogën dhe po ktheheshin në shtëpi në zonën e Pusit të Mezin me motor. Vetëm pak muaj më parë ai kishte blerë motorin që i mori jetën. Dyshohet se ka qenë me shpejtësi të lartë dhe ka humbur kontrollin.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.