Dy persona kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë që ndodhi mëngjesin e së dielës në autostradën A3 Zagreb–Beograd, midis Popovaçës dhe Krizhit. Në aksident u përfshinë një makinë dhe një autobus, të dy me targa të Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Kroacisë, 29 prej të lënduarve janë dërguar për trajtim në spitalet e Zagrebit, Sisakut dhe Pakracit. Përplasja ndodhi pasi makina u përplas fillimisht me një dre, duke u ndalur në rrugë. Shoferi zbriti për të sinjalizuar mjetet e tjera, por autobusi që vinte nga pas nuk arriti të ndalonte dhe përplasi makinën me forcë.
Nga përplasja, makina theu barrierën mbrojtëse dhe kaloi në korsinë e kundërt, ndërsa autobusi u përmbys. Në vendngjarje mbërritën menjëherë nëntë ekipe të ndihmës së shpejtë dhe shërbime të tjera emergjente.
“Shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit”, deklaroi Ministria kroate e Shëndetësisë.
Pas përfundimit të hetimeve, autostrada A3 është rihapur në të dy drejtimet, njoftoi Klubi Automobilistik i Kroacisë (HAK). Megjithatë, në segmentin drejt Breganës është krijuar një kolonë automjetesh rreth 22 kilometra e gjatë për shkak të vonesave të shkaktuara nga aksidenti.