FLASH :

Aksident në Urën e Re të Kukësit, përfshihen tre automjete – devijohet trafiku drejt urës së vjetër

Një aksident rrugor u regjistrua mesditën e sotme në Urën e Re të Kukësit, ku tre automjete që udhëtonin në drejtim të Tiranës u përplasën mes tyre. Ngjarja ndodhi në mes të urës, duke bllokuar përkohësisht një kah të qarkullimit.

Për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe bllokimin total të trafikut, policia rrugore ndërhyri menjëherë duke devijuar lëvizjen e mjeteve drejt urës së vjetër mbi lumin Drin i Zi. Ndërhyrja parandaloi krijimin e radhëve të gjata, megjithatë për disa minuta u regjistrua trafik i shtuar në zonë.

Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Burime paraprake bëjnë me dije se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia e drejtuesit të automjetit të parë dhe mosrespektimi i distancës së sigurisë nga mjetet pasuese.

Policia rrugore po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.