Një parashutist ka pësuar një aksident të rëndë në bregdetin e Spilesë në Himarë gjatë fundjavës, duke alarmuar pushuesit dhe banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, parashutisti ka humbur kontrollin teksa po zbriste mbi vijën bregdetare dhe është përplasur me forcë në rërë, në zonën qendrore të plazhit të Himarës. Si pasojë e goditjes, ai ka pësuar dëmtime fizike të shumta dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Dëshmitarë në vendngjarje thanë se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash dhe se ulja e tij dukej e pasigurt që nga ajri. Nuk dihet ende nëse shkak i aksidentit kanë qenë kushte atmosferike të pafavorshme, probleme teknike ose ndonjë gabim njerëzor.
Policia dhe autoritetet vendore kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Gjendja shëndetësore e parashutistit mbetet e paqartë.







