FLASH :

Aksident në pikën e skrapit në Krujë, plagoset punëtori – në hetim administratori për shkelje të sigurisë në punë

Një punëtor 49-vjeçar është plagosur në një pikë grumbullimi skrapi në Krujë, ndërsa policia ka marrë nën hetim administratorin e subjektit, për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

Ngjarja ka ndodhur më 31 maj, ndërsa është bërë publike nga Policia e Krujës këtë të shtunë. Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, e cila nisi procedimin penal në gjendje të lirë për 36-vjeçarin V. Sh., administrator i pikës së skrapit ku ndodhi aksidenti.

“Dyshohet se si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, është dëmtuar punëtori R. K., 49 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën,” bëri të ditur Policia.

Pas marrjes në pyetje, administratori është lënë i lirë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes do të vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Krujë.