FLASH :

Aksident në Kukës/ 22-vjeçari humb kontrollin e automjetit, përplaset me makina të parkuara dhe del nga rruga! Pasagjeri 17-vjeçar, në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 01:00 pas mesnate në qytetin e Kukësit, në zonën e njohur si “Sheshi Agjensia”.

Një automjet tip “Benz”, ku udhëtonin dy të rinj, ka humbur kontrollin dhe është përplasur fillimisht me disa automjete të parkuara, për të përfunduar disa metra më poshtë, jashtë rrugës. Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të drejtuesit të mjetit, një 22-vjeçari, si dhe të pasagjerit, një 17-vjeçari.

Fillimisht, të rinjtë u dërguan në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të dëmtimeve të rënda, ata u transportuan më pas drejt spitalit të Prizrenit. Gjendja e 17-vjeçarit është përkeqësuar si pasojë e një hemorragjie të brendshme në kokë dhe dëmtimeve të organeve të brendshme. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ai është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në kujdes intensiv.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit nga drejtuesi i automjetit.

Ky është aksidenti i dytë i rëndë brenda pak ditësh në qarkun e Kukësit. Vetëm dy ditë më parë, në Has, një përplasje mes dy automjeteve u mori jetën dy personave.