Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e tre shtetasve të huaj është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së hënës, rreth orës 01:10, në hyrje të Ksamilit, pranë një karburanti.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, një motor me targa CB 877, i drejtuar nga shtetasi turk Deyvi Varon, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në trotuar. Përplasja ka shkaktuar plagosjen e këmbësorit italian Salvatore Caruso, të vetë drejtuesit të motorit dhe të pasagjerit turk Mert Faro, i cili dyshohet të ketë pësuar frakturë në këmbë.
Të tre të lënduarit janë transportuar menjëherë në spitalin e Sarandës, ku po marrin ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.