Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme rreth orës 14:35 në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, në vendin e njohur si Vidhas. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë, kanë përfunduar në një kanal anës rrugës, njëra mbi tjetrën.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur në momentin kur njëri prej automjeteve, pasi kishte ndaluar për t’u furnizuar me karburant, ka tentuar të rikthehet në rrugë. Gjatë kësaj manovre është goditur nga një tjetër automjet që po udhëtonte me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.

Nga përplasja e fuqishme, janë plagosur rëndë drejtuesi i njërës makinë dhe bashkëshortja e tij. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit më të afërt, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore mbetet e paqartë deri në një njoftim zyrtar nga autoritetet mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë Rrugore, të cilat kanë siguruar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira. Grupi hetimor po vlerëson nëse manovrat e gabuara, shpejtësia e lartë apo mungesa e sinjalistikës kanë ndikuar në këtë aksident të rëndë.